Secondary Adv

POS-et në autobusë, bankat konfirmojnë tarifat: Shoqata e Transportit kërkon mbulim kostosh

Bankat konfirmojnë tarifat, ndërsa transporti publik kërkon mbulim të komisioneve për biletat.

Vendosja e terminaleve POS/POI në autobusët e transportit publik, që do t’u mundësonte qytetarëve të paguanin biletën me kartë bankare, vijon të mbetet në fazë diskutimesh për shkak të kostove dhe sfidave teknike. Operatorët e transportit publik shprehen se pengesa kryesore për nisjen e zbatimit të këtij shërbimi lidhet me komisionet bankare për çdo transaksion, kostot e instalimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve, si dhe nevojën për sigurimin e internetit në autobusë.

 

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas u ka kërkuar bankave të nivelit të dytë informacion të detajuar mbi tarifat e instalimit të pajisjeve, kostot e mirëmbajtjes, komisionet për çdo pagesë me kartë dhe mundësinë e aplikimit të tarifave preferenciale për sektorin e transportit publik.

 

Bankat konfirmojnë tarifat e komisioneve

Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, disa prej bankave kanë nisur t’u përgjigjen operatorëve, duke konfirmuar tarifat e komisioneve të bëra publike më herët. Tarifat e komunikuara për përdorimin e terminaleve POS përfshijnë komisione deri në 2.70 për qind për transaksionet me karta VISA dhe MasterCard kombëtare, deri në 3.20 për qind për kartat ndërkombëtare, si dhe një tarifë fikse prej 30 lekësh ose 0.30 euro për çdo transaksion.

 

Gjithashtu, parashikohet një komision prej 5,000 lekësh për instalimin e terminalit POS, 1,000 lekë në muaj për mirëmbajtjen e tij dhe po aq për rastet kur terminali nuk përdoret. Në raste kontraktuale, kostoja e pajisjes mund të arrijë deri në 50,000 lekë, ndërsa procedurat e tipit “chargeback” tarifohen me 500 lekë për rast.

 

Internet dhe infrastrukturë shtesë në autobusë

Bankat kanë konfirmuar gjithashtu shqetësimin e operatorëve lidhur me nevojën për investime shtesë teknike. Funksionimi i terminaleve POS kërkon lidhje të vazhdueshme me internetin përmes rrjetit celular, kartës SIM ose Wi-Fi, në mënyrë që të mundësohet transmetimi i sigurt i të dhënave dhe përpunimi në kohë reale i pagesave.

 

Aktualisht, shumica e autobusëve të transportit publik nuk disponojnë infrastrukturën e nevojshme për këtë shërbim, çka sjell kosto shtesë për operatorët.

 

Operatorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, deklaroi për Monitor se pas përfundimit të procesit të marrjes së përgjigjeve nga 13 bankat që operojnë në vend, do të kërkohet organizimi i një tryeze diskutimi me institucionet shtetërore dhe Bashkinë e Tiranës.

 

Sipas operatorëve, qëllimi kryesor i këtyre diskutimeve do të jetë gjetja e një zgjidhjeje për mbulimin e kostove të komisioneve bankare që lidhen me pagesat elektronike të biletave, në mënyrë që implementimi i sistemit të mos krijojë barrë shtesë financiare për kompanitë e transportit publik.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat